“Haga u bë fakt, të mos humbim Kosovën!”

0

Nga:Anisa Bahiti

Ajo që pritej, fatkeqësisht ndodhi!
Krerët kryesorë të ish-UÇK-së bashkë me presidentin e Kosovës u arrestuan dhe u dërguan në Hagë. Nga tani e tutje kjo nuk është më një fantazi, as një mundësi, por një fakt.
Akuza është publikuar pjesërisht dhe janë shumë akuza të komplikuara dhe të gjata. Mesa duket, lista e të akuzuarve do të jetë ende shumë më e gjatë dhe me personazhe të tjerë të rëndësishëm të luftës dhe pas luftës. Por një gjë tashmë është e qartë: Pasojat politike do jenë të rënda dhe duhen menaxhuar me shumë kujdes, pasi rrezikon Kosova.
Plani i Serbisë është i qartë: Të faktojë që Kosova është një shtet kriminelësh dhe si i tillë duhet çbërë! Serbia, këtë plan, e ka publik, të hapur dhe jo të fshehur.
Kanë kaluar 21 vite dhe klasa politike e Evropës ka ndryshuar tërësisht, ndaj askush nuk kujton atë që ka ndodhur me Kosovën.
Klasa politike e Kosovës në vend që të hapej, rinovohej, të sillte investime të huaja strategjike, ka qeverisur për turp. Ka dështuar në procesin e privatizimeve, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kosova nuk është më prioritet i politikës ndërkombëtare, ndërkohë që Serbia është kthyer në një shtet shumë të rëndësishëm për kompanitë multinacionale dhe BE nuk do që ajo ”të hedhë sytë“ nga Rusia.
SHBA-ja nuk është më as e fortë si dikur, dhe as ka më ndonjë interes të posaçëm për Ballkanin.E vetmja shpresë është nëse Biden bëhet president, por edhe në atë rast do të duhet shumë punë për të rikthyer procesin pas.
Kosova ndërkohë ka një kryeminister jo të zgjedhur, të dobët, pa legjitimitet. Një qeveri që mezor mbahet në kembë. Në anën tjetër, Bashkësia Ndërkombëtare, bën presion që të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, e cila është e qetë dhe e fortë. Kosova është në udhëkryq : Ose të vazhdojë rënien në pikiatë, ose të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje dhe t’i japë vendit institucione të forta dhe stabilitet, përballë Serbisë dhe Bashkësisë Ndërkombëtare.
I vetmi aleat i Kosovës, Shqipëria, është vetë në krizë të thellë politike, insitucionale dhe rruga deri në zgjedhje duket akoma më e vështirë.Kosova ka nënshkruar një marrëveshje të nxituar në Washington, në shtator, që e detyron të ndalojë procesin e njohjeve të mëtejshme.
Kurrë më parë Kosova s’ka qenë përballë kërcënimit të çbërjes së shtetit të saj. Tashmë është koha për t’i ridhënë Kosovës sovranitetin, legjitimitetin dhe demokracinë nëpërmjet forcës së votës si në kohën e Kushtetutës së Kaçanikut dhë të luftës së UÇK-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu