Nëse vaksina na gjen shëndoshë!

0

Nga:Anisa Bahiti
Covid-i po bën një masakër të heshtur në Shqipëri dhe jo vetëm. Ndryshe nga vendet e tjera, këtu problematikat janë të shumëfishta që nga mungesa e spitaleve, barnave, stafeve mjekësore të specializuara e deri te vetëvrasjet e shumta nëpër spitalet covid apo dhe vdekjet në moshë të re të shumë njerëzve të njohur, apo më pak të njohur.
Kolapsi total tregon se nëse mbahet ky trend vdekjesh, zyrtarisht nga 12 deri 20 te vdekur në ditë së bashku me sëmundjet e stinës deri në mars, do të kemi të paktën edhe 2.000 të vdekur të tjerë, përveç atyre të deritanishmëve që e kalojnë shifrën 1.200, pa përfshirë ata që kanë vdekur në Itali apo Turqi.
Deri tani propaganda është bazuar në gjoja sakrificën e mjekëve, të cilët në të vërtetë janë viktima të atij sistemi shëndetësor të shkatërruar që ka Shqipëria, si në rastin e Prof. DRINI DOBIT që kur e çuan në Itali ishte tashmë në koma të thellë dhe intubim.
Mundësitë për ta dërguar atë dhe mjekë të tjerë në Turqi dhe Itali shumë më herët kanë qenë shumë të mëdha, mjaftonte të bënin më pak publicitet si në rastin e asaj polices që humbi një gjysëm gishti. Sot, përveç propagandës me mjekët heronj dhe martirë mileti po yshtet dhe ushqehet në shpresën e vaksinës.

Ndërkohë janë thënë disa gënjeshtra.
E para, se gjoja do lidhnim një marrëveshje me një shoqatë CO- VAX që sjell në qarkullim vaksinat e cilësisë së dobët për botën e tretë.
E dyta, se Kryeministri po shkonte të siguronte në New York vaksinën e Pfizer dhe pasi bëri një selfie atje u kthye duke u marrë me protestat e të rinjve për vrasjen e 25-vjeçarit në Tiranë nga policia.
E treta, se egziston mundësia se pasi të ndahet vaksina në gjitha vëndet e BE-së ndoshta do na japin dhe ne ndonjë gjë për lëmoshë. Një gjë është e sigurt : Nëse duhen blerë miliona doza vaksine atëherë ato buxhetohen tani, trasportohen maksimumi në shkurt dhe diku nga fundi i shkurtit dhe fillimi i marsit fillon vaksinimi masiv.
Nëse edhe çështja e vaksinimit do të vazhdojë si çështja e testimeve masive me 9 muaj vonesë, spitaleve COVID ku njerëzit vetëvriten duke u hedhur nga kati 5 si pula, atëherë edhe për vaksinat do jemi të fundit e listës si për çdo gjë tjetër.
Deri atëherë do jenë vaksinuar të pasurit që do vaksinohen nëper botë, të pushtetshmit, emigrantët që jetojnë jashtë dhe do ndihmojnë familjarët e tyre dhe ndonjë tjetër për shkak të mundësive rrethanore. Në të kundërt për ne të tjerët duhet të themi: Zot na ruaj deri kur të na vijë rradha jonë e vaksinimit, nëse do na vijë ndonjë ditë kjo rradhë vaksinimi!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu