Votimi elektronik, Celibashi: Do hetojmë kush ka vendosur gishtin më shumë se një herë

0

 

Në zgjedhjet e 25 Prillit u përdor për herë të parë Pajisja për Identifikimin Elektronik. Pajisja duhet të bënte regjistimin e gjurmës së gishtit por vetëm një herë. Deri më tani KQZ ka zbuluar se ka pasur nga ata persona që e kanë bërë për “sport” siç u shpreh edhe kreu i institucionit, Ilirjan Celibashi.

Por sido që të jetë , Celibashi tha se kushdo që e ka vendosur gishtin më shumë se një herë në pajisjen elektronike do të japë llogari përpara organeve kompetente. Gjatë një deklarate për mediat ai tha se tani po punohej vetëm për përpunimin e të thënave dhe pas fazës së parë do të bëhet kryqëzimi i të gjitha të dhënave që ndodhen në serverin qendror.

Ai tha se nëpërmjet këtij procesi do të shihet nëse ka pasur raste kur zgjedhësit mund të ken votuar disa herë në qendra të ndryshme votimi.

“Nëpërmjet këtij procesi do të shikojmë nëse do të ketë raste të votimit të një zgjedhësi në disa raste në qendra votimi të ndryshme. Marr shkas edhe nga ato video që janë transmetuar në rrjete sociale. Ne e kemi thënë disa herë qëllimi i përdorimit të kësaj pajisje ka qenë që të regjistronte gjurmët e gishtit të atyre që shkonin për të votuar. Ata që kanë dashur ta provonin për sport ose për arsye të ndryshme do evidentohen dhe do duhet që të japin shpjegime para organeve. Ata të cilët kanë thënë që pajisja nuk ka funksionuar pajisja ka funksionuar shumë mirë. Qëllimi ka qenë të evidentonte shenjat e gishtit të votuesve”, tha Celibashi.

Ai tha se gjer më tani nuk është bërë e ditur asnjë e dhënë se sa persona mund ta kenë shënuar më shumë se një herë gishtin në pajisje. Gjithashtu shtoi se më së shumti këto raste janë evidentuar me operatorët që janë marrë me pajisjen.

“Operatorët, ndoshta dhe jo mirë të trajnuar kanë menduar se nuk do kishte problem që ta vendosnin gishtin. Nëse është kjo mund të jetë problem teknik. Me siguri absolute mund të themi që dikush tjetër, përjashto operatorët e ka vendosur gishtin më shumë se njëherë është i detyruar të japi shpjegime se pse ka ndodhur”, u shpreh Celibashi.

Nënkomisionerja Pelinku u shpreh se nëse gjenden shkelje, materialet do t’i përcillen prokurorisë dhe do të jetë ajo që do të merret me verifikimet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu