Aleksandër Vuçiç ka deklaruar për median serbe TV Prva. Se deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022 nuk do të ketë njohje të Republikës së Kosovës, por më pas do të jetë vetë populli që e vendos.
Me këtë deklaratë, Vuçiç mund të ketë aluduar në mbajtjen e ndonjë referendumi për këtë çështje.
Vuçiç ka thënë se askush në Perëndim nuk mendon se Kosova nuk është e pavarur.
“Opinioni i Uashingtonit, pavarësisht se kush është në pushtet, nuk do të ndryshojë, megjithëse marrëdhënia ishte disi e ndryshme (gjatë administratës së Donald Trump)”, tha Vuçiç.
Pas fitores së Joe Biden, Vuçiç ka folur shpesh për pozicionin amerikan në raportin mes Serbisë dhe Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar më 4 shtator, në Uashington dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në marsin e vitit të ardhshëm, bëhen 10 vjet që kur ka nisur dialogu në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog fillimisht nisi për çështje teknike, për të evoluar më pas në dialog të nivelit të lartë politik.
Bashkimi Evropian synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy vendeve. Kosova insiston se në këtë dokument duhet të përfshihet edhe njohja e ndërsjellë, ndërsa Serbia kundërshton.