Zbulohet takimi i fshehtë i shefit të CIA-s me talebanët. ‘Dora e padukshme’ amerikane ‘infiltrohet’ në Kabul

0

Drejtori i CIA-s William J. Burns ka zhvilluar një takim sekret në Kabul të hënën me udhëheqësin de facto të talebanëve Abdul Ghani Baradar. Ky është takimi i parë ballë për ballë i nivelit më të lartë mes talebanëve dhe administratës së Bidenit, që kur militantët morën kryeqytetin afgan.

Lajmi është bërë i ditur nga WashingtonPost, duke cituar zyrtarëve amerikanë të njohur me çështjen, të cilët kanë folur në kushtet e anonimitetit.

Vendimi i Presidentit Biden për të dërguar kryespiunin, një veteran i shërbimit të jashtëm dhe diplomati më i dekoruar në kabinetin e tij, vjen në mes të një përpjekjeje të furishme për të evakuuar njerëzit nga aeroporti ndërkombëtar i Kabulit në atë që Biden e ka quajtur ‘një nga aksionet më të mëdha dhe më të vështirat transporti ajror’.

Biden po përballet me presion për të zgjatur misionin e evakuimit në Afganistan ndërsa talebanët paralajmërojnë se nuk kanë në plan ta lejojnë këtë gjë.

CIA nuk pranoi të komentojë mbi takimin me talebanët, por diskutimet ka të ngjarë të kenë të bëjnë me afatin e afërt të 31 gushtit për ushtrinë amerikane për të përfunduar transportin ajror të qytetarëve amerikanë dhe aleatëve afganë.

Administrata e Biden është nën presion nga disa aleatë për të mbajtur forcat amerikane në vend përtej fundit të muajit në mënyrë që të ndihmojë evakuimin e dhjetëra mijëra qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve perëndimore, si dhe aleatëve afganë të dëshpëruar për të ikur nga talebanët.

Britania, Franca dhe aleatët e tjerë amerikanë kanë thënë se nevojitet më shumë kohë për të evakuuar personelin e tyre, por një zëdhënës i talebanëve paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të kalonin një ‘vijë të kuqe’ nëse i mbanin trupat përtej 31 gushtit, duke paralajmëruar ‘pasoja’.

Për Baradarin, të luash rolin e ‘homologut’ të drejtorit të CIA-s vjen me një nuancë ironie, 11 vite pasi agjencia e spiunazhit e arrestoi atë në një operacion të përbashkët me Pakistanin dhe e futën në burg për 8 vjet.

Udhëheqësi taleban, megjithatë, nuk është i huaj për perëndimorët.

Pas lirimit nga burgu në 2018, ai shërbeu si kryenegociatori i talebanëve në bisedimet e paqes me Shtetet e Bashkuara në Katar që rezultuan në një marrëveshje me administratën Trump për tërheqjen e forcave amerikane. Në Nëntor 2020, ai bëri një fotografi me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu