5 orë nga vulosja e fatit të tyre, si dhe ku po i kalojnë momentet e tensionit Rama dhe Basha

0

 

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar pak minuta më parë zyrës së tij në kryeministri, ku duket se do të kalojë këto orë të fundit, përpara se të mbyllet procesi i votimit në Shqipëri. Menjëherë pasi votoi, Rama qëndroi për disa orë në selinë e PS-së e mandej në kryeministri.

Nuk dihet ende se cilët janë shoqëruesit e Ramës, në këto orë vendimtare për karrierën e tij politike, ndërkohë që humbja e zgjedhjeve do të sillte dhe fundin e karrierës së tij politike, pasi kreu i qeverisë ka deklaruar se në rast se PS nuk merr 71 mandate ai do të largohet.

“Është një ditë shumë e bukur. Një ditë fantastike, sot është dita që të mos ushqejmë asnjë ndjenjë negative ndaj askujt që me votën e vet shpreh një opinion tjetër. Sot jemi një familje e madhe në një atdhe, mos të harrojnë se demokracia është sport pa spektator, sport që secili të zbresë në fushë dhe të gjuajë penalltinë e tij”, tha Rama shkurtimisht teksa votoi në Surrel.

Nga ana tjetër, edhe Basha ka qëndruar për disa orë në selinë blu, nga ku më pas është larguar në drejtim të Kalasë së Tiranës, ku ka shkrepur foto dhe me disa qytetarë të rastit.

“Sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë, është një ditë historike, është dita kur të gjithë ne kemi fuqinë në dorën tonë, të gjithë shqiptarët kanë fuqinë në dorën e tyre, të gjithë ju keni në dorë fuqinë tuaj, për fëmijët tuaj, për familjet tuaj, për vendin, për kombin. Sot është dita të dilni dhe të votoni masivisht. Të dilni dhe të bëni me votën tuaj, të mundur të ardhmen që dëshironi për familjen, për vendi tuaj dhe për veten tuaj. Sot është dita e Shqipërisë, është dita e demokracisë.

Dilni masivisht dhe hidhni votën tuaj. Jam i lumtur që votën time e kam hedhur sot, në praninë e votuesve për herë të parë këtu në lagjen ku kam lindur dhe ku jam rritur dhe i bëj thirrje çdo djali dhe çdo vajze, çdo burri dhe çdo gruaje. Dilni masivisht dhe votoni! Kjo është dita juaj, është dita e demokracisë, është dita e Shqipërisë. Faleminderit! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, tha Basha shkurtimisht për gazetarët.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu