Sa jetë njerëzish ka marrë Covid-19 në Elbasan, Peqin, Librazhd dhe Gramsh për një vit. Ja bashkia më e prekur

0

Pandemia e Covid-19 ka lënë pas një bilanc tragjik në harkun kohor të një viti edhe në qarkun e Elbasanit.  Nga analizimi i të dhënave rezulton se deri më tani në 4 bashki, Elbasan, Peqin, Librazhd dhe Gramsh kanë humbur jetën në total 135 shtetas. Nga këta 47 në Elbasan, 35 në Gramsh, 27 në Peqin dhe 26 në Librazhd.

Me ndarjen e re bashkitë Cërrik, Belsh dhe Prrenjas bëjnë pjesë në njësi të tjera të Kujdesit Shëndetësor.  Pra për këto nuk ekzistojnë shifra në këtë material.

Këto janë statistikat e deklaruara për të gjithë ata që kanë marrë shërbimin mjekësor në spitale. Por shifra dyshohet të jetë më e lartë po të mbahet parasysh fakti se mjaft qytetarë dhe familjarë kanë hezituar të paraqiten në spitale e qendra shëndetësore dhe fakti që gjysma e popullsisë jeton në fshat dhe nuk ka as kulturën e nevojshme mjekësore dhe madje edhe mundësitë financiare që të kujdeset për shëndetin. Sipas specialistëve, shifrat e publikuara janë vetëm maja e ajzbergut sepse nga Covid kanë humbur jetën disa herë më shumë, veçanërisht shtresat e moshës së tretë.

Por ajo që bie në sy nga të dhënat statistikore rezulton se, krahasuar me numrin e popullsisë, Gramshi është goditur më shumë nga Covid. Dhe ta mendosh se vetëm para pak muajsh kjo ishte një ndër bashkitë më të pastra në shkallë vendi.  Gramshi vjen menjëherë pas Elbasanit me 35 humbje jete njerëzish edhe pse numri i popullsisë si bashki është rreth 36 mijë banorë ndërsa Elbasani numëron 206 mijë banorë. Mister mbeten edhe shkaqet se përse kjo bashki është goditur më shumë nga Covid.

Në total deri më tani në 4 bashki të qarkut të Elbasanit kanë qenë 17851 raste të dyshuara. Kanë kryer testin 17747. Nga këta kanë dalë pozitivë 7078, të shëruar 6172.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu