Voton kreu i PD-së Lulzim Basha, ja kush e shoqëronte

0

Kreu i PD-së Lulzim Basha i është drejtuar i vetëm kutisë së votimit, për të zgjedhur në këtë mënyrë partinë dhe kandidatin e tij të preferuar për Tiranën.

Basha shoqërohej nga të rinj që ishin votues për herë të parë, të cilët kanë qenë pjesë e lagjes ku ai ka lindur dhe rritur në Tiranë.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Basha bëri thirrje që të gjithë shqiptarët të dalin dhe të marrin pjesë masivisht në votime. Kreu i PD-së nuk pranoi që ti përgjigjej asnjë pyetje që lidhej me procesin, duke thënë se sot fatin e kanë në dorë qytetarët.

“Sot është një ditë historike, ku të gjithë kanë në dorë fuqinë që të zgjedhin për fëmijët, është dita që të dilni dhe të votoni masivisht. Sot është dita e Shqipërisë, është dita e demokracisë, jam i lumtur që votën time e kam hedhur sot me votuesit për herë të parë në lagjen ku kam lindur dhe ku jam rritur. Sot është dita e demokracisë, zoti i bekoftë shqiptarët”, tha Basha shkurtimisht për gazetarët.

Më herët kanë votuar dhe krerë të tjerë të lartë të shtetit, përfshirë presidentin Ilir Meta, kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, zv.kryeministrin Erion Braçe, dhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi. Kryeministri Edi Rama pritet që të votojë pas rreth një ore në një shkollë në Surrel.

Sot qytetarët shqiptarë do t’iu drejtohen qendrave të votimit, për të zgjedhur partinë dhe kandidatin e tyre të preferuar, në listat e qarqeve, që dëshirojnë që ti përfaqësojnë në Kuvendin e 4 viteve të ardhshme.

Në Shqipëri janë 3,588,869 shtetas me të drejtë vote, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre janë emigrantë, të cilët edhe në këto zgjedhje nuk kanë të drejtën e votës në vendin ku punojnë dhe jetojnë.

Këto janë zgjedhjet e 10 parlamentare që mbahen në vendin tonë, që nga nisja e pluralizmit politik, ku njihen vetëm 2 raste të zgjedhjeve të parakohshme, ato që janë mbajtur në vitin 1992 dhe 1997.

Ndërkohë 7 procese normale zgjedhore janë (1991, 1996, 2001, 2005, 2009, 2013 dhe 2017). Vetëm zgjedhjet e vitit 1991 kanë qenë në mazhoritar. Zgjedhjet 1992-2005 janë zhvilluar me një sistem miks, 100 (115) zona në mazhoritar dhe 40 (25) mandate në proporcional.

Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 u vendos kalimi në sistemin proporcional rajonal, me lista të mbyllura dhe me prag minimal zgjedhor 3%. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2020 u vendos ulja e pragut elektoral në 1% dhe aplikimi për herë të parë i listave të hapura proporcionale.

Numri i deputetëve ka ndryshuar vetëm në dy raste: më 1991 u ruajt numri i deputetëve i legjislaturave të fundit të periudhës komuniste (250 deputetë), si dhe më 1997 u ruajt sistemi i vitit 1996 me rritjen e numrit të deputetëve në proporcional nga 25 në 40 vende, për pasojë, parlamenti kishte 155 deputetë.

Prej ’96 numri i ulëseve në Kuvend është 140, ndërkohë që në këtë vit janë 12 parti dhe koalicione që garojnë në 12 qarqe të vendit, dhe në vetëm 4 prej tyre garojnë si të pavarur kandidatët që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes, dhe Elton Debreshi, që vjen nga radhët e minatorëve dhe kandidon në qarkun e Dibrës.

Nëse kthehemi pas në kohë pjesëmarrja në zgjedhje ka ndryshuar mjaft, në krahasim me vitet e para të demokracisë. Në zgjedhjet e viteve 1991-1992, kur shteti kishte të dhëna të sakta të numrit të qytetarëve me të drejtë vote, janë regjistruar edhe shifrat më të vogla të numrit të zgjedhësve në listë dhe përqindjet më të larta të pjesëmarrjes në votime.

Gjatë viteve raportet janë përmbysur. Në zgjedhjet e fundit parlamentare më 2017 pjesëmarrja në zgjedhje ishte 46,76%. Nga mbi 3.4 milionë qytetarë të regjistruar në listën e zgjedhësve votuan 1.613.810 zgjedhës. Sipas INSTAT numri i popullsisë më 2017 ishte 2.876.591, shifër shumë më e vogël sesa numri 3.452.324 i zgjedhësve në listë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu