Situatë e rënduar me Covid në Elbasan/ I gjithë qarku me një skaner

0

Shtimi i rasteve me Covid në qarkun e Elbasanit ka shfaqur një sërë problematika të reja. Skaneri në spitalin e qytetit duhet të përmbush nevojën e mbi 400 mijë banorëve të kësaj zone.
Në këtë spital duhet të trajtohen gjithashtu edhe të sëmurët që vijnë nga Peqini, Librazhdi dhe Gramshi, pasi spitalet e këtyre qyteteve nuk kanë skaner.
Në spitalin e Peqinit, Gramshit dhe Librazhdit mungon paisja me një skaner, i cili do të jetë i nevojshëm për të diagnostifikuar pacientët me Covid-19, nëse nuk kanë kryer ende tamponin.
Erald Gripshi, mjek i urgjencës së spitalit Peqin, ka thënë për mediat kombëtare se të gjithë pacientët me Covid i dërgojnë në Elbasan.
“Rastet që janë të konfirmuara me tampon, ndiqen nga mjeku i familjes në shtëpi, vetëm nëse gjendja rëndohet telefonohet 127. Në urgjencë bëhet triazhimi ku janë infermierët e përcaktuar posaçërisht për tu marrë me këta pacientë. Po të kishim skaner do e lehtësonim punën, shumë pacientë me covid pas disa ditësh paraqesin komplikacione në mushkëri dhe është e nevojshme ekzaminimi me skaner….”, është shprehur mjeku.
Fakti që në zonën e Elbasanit ka vetëm një skaner ka bërë që në spitalin e këtij qyteti të krijohen radhë pritjeje të pacientëve që kanë nevojë për diagnostifikim.
Në konfidencë mjekë e qytetarë kanë konfirmuar se në disa raste ata mund të presin me javë për të kryer diagnostifikimin.
Porse për rastet urgjente me Covid apo edhe sëmundje të tjera, procedurat përshpejtohen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu