Historia e një gruaje nga Tirana e cila braktisi bashkëshortin dhe deklaroi publikisht lidhjen e saj me 40-vjeçarin kosovar nuk shkoi siç ndoshta ajo dëshironte. Shtetësja me iniciale D. N. kuptoi se po shfrytëzohej nga kosovari, pikërisht në shtetin gjerman ku ishte zhvendosur bashkë me djalin e saj të mitur. Kjo e fundit tha se 40-vjeçari nga Kosova i kërkonte pa fund vlera monetare, në të kundërt e kërcënonte se do t’i publikonte çastet e tyre intime. I dyshuari, dosja e të cilit aktualisht u dorëzua në gjykatë nën akuzën e përndjekjes, ishte i martuar, ndërsa mbante lidhje paralele me gruan nga Tirana.
Shqiptarja është shprehur se:
“Kur më kanosi që do të merrte në telefon babain dhe ish-burrin dhe do u tregonte fotot, i telefonova secilit dhe u tregova për çfarë bëhej fjalë. Babai mu përgjigj: “do të të mbështes në çdo rast. Po dilja me tim bir kur në rrugë mu shfaq Sh.H. Kërkoi të bisedonim në të kundërt do të fliste me babain. Nuk pranova. Djali u frikësua. Sapo pashë disa efektivë policie në rrugë iu drejtova atyre”.
Ndërkohë, sipas gazetës “si” gruaja i bllokoi të gjitha komunikimet me Sh.H, por ai hapte profile të reja dhe i shkruante. Nga ana tjetër 40-vjeçari para policisë, nuk pranon ta ketë përndjekur dhe as shfrytëzuar gruan nga Tirana.
Ky i fundit thotë se:
“I dola në rrugë për të marrë orën dhe rrobat. E kam ndihmuar kur qëndronte në Gjermani, jo vetëm me të holla, por i kam gjetur punë. Mesazhet ia kam dërguar pasi e doja dhe e respektoja, ndërsa ajo nuk më hapte telefonin” Policia bën me dije se ka pyetur edhe babanë e gruas, i cili tregon se mori disa telefonata nga një person për të cilin ishte paralajmëruar nga e bija. Babai i gruas thotë se kur nuk pranoi ta takonte, ky numër e kërcënoi, duke i thënë “Tani do më njohësh se kush jam unë dhe do kesh frikë të dalësh në rrugë”.
Ndërkohë, gruaja nga Tirana shton se:
“Një ditë i kontrollova telefonin, aty zbulova që Sh.H. kishte lidhje të tjera dhe madje e vazhdonte martesën, nuk ishte i ndarë, kishte gruan me tre fëmijë. Një ditë kur u grindëm, telefonova të ëmën dhe i kërkova ndihmë. Por ajo u çudit dhe më pyeti “kush jeni ju? Djali ka grua dhe fëmijë që e presin”. Ndërkohë Sh.H iku në Kosovë me pretekstin se kishte gjashtë vite që nuk kishte takuar ish-gruan. Aty filloi hapur fare të më kërkojë para që t’ia nisja me postë. I dërgova 1700 euro, nuk mundesha më tepër. Sh. H. nisi nga presionet, më mori në telefon dhe kërcënoi. “Më dërgo më shumë para, përndryshe fotografitë e tua do ia tregoj babait dhe ish-burrit.”
Në dosjen me procesverbal këqyrjeje janë administruar të dhënat në mesazhe që janë nxjerrë nga aparati i kallëzueses.